Secondary Adv

Buxheti 2027, ulet pesha e shpenzimeve për mbrojtjen sociale, rritet ajo për mbrojtjen

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon uljen e peshës së shpenzimeve për mbrojtjen sociale, shëndetësinë dhe arsimin, ndërsa financimi për mbrojtjen dhe forcat e armatosura do të zërë një pjesë më të madhe të buxhetit të shtetit.

Shpenzimet për mbrojtjen sociale, ku përfshihen kryesisht pensionet, ndihma ekonomike dhe mbështetja për kategoritë në nevojë, do të zënë një pjesë më të vogël të buxhetit të shtetit në vitin 2027, megjithëse mbeten zëri më i madh i shpenzimeve publike sipas funksioneve qeverisëse.

Sipas të dhënave të projektbuxhetit, pesha e mbrojtjes sociale do të ulet nga 27.3% e shpenzimeve totale në vitin 2026 në 26.2% në vitin 2027, duke shënuar një rënie prej 1.1 pikësh përqindjeje.


Kjo rënie nuk nënkupton domosdoshmërisht ulje të fondeve në vlerë absolute, por tregon se mbrojtja sociale do të përfaqësojë një pjesë relativisht më të vogël të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.


Rritet pesha e shpenzimeve për mbrojtjen dhe ushtrinë

Në të kundërt, shpenzimet për mbrojtjen dhe forcat e armatosura do të rriten nga 4.8% e totalit të buxhetit në vitin 2026 në 6.3% në vitin 2027, me një zgjerim prej 1.5 pikësh përqindjeje.


Kjo do të thotë se financimi për mbrojtjen do të zërë një pjesë më të madhe të buxhetit të shtetit, ndërsa pesha e shpenzimeve për disa nga funksionet kryesore sociale do të ulet.


Ndryshime parashikohen edhe për shëndetësinë dhe arsimin. Shpenzimet për shëndetësinë do të përbëjnë 8.8% të totalit në vitin 2027, nga 9.2% në vitin 2026, ndërsa pesha e arsimit do të zbresë nga 8% në 7.5%.


Të marra së bashku, mbrojtja sociale, shëndetësia dhe arsimi do të përfaqësojnë 42.5% të shpenzimeve publike në vitin 2027, krahasuar me 44.5% në vitin 2026. Kjo përfaqëson një ulje prej 2 pikësh përqindjeje në strukturën e buxhetit.


Ulet pesha e shpenzimeve për ekonominë dhe sigurinë publike

Projektbuxheti parashikon gjithashtu ulje të peshës së shpenzimeve për çështjet ekonomike, nga 9.4% në vitin 2026 në 8.4% në vitin 2027.

Shërbimet e përgjithshme publike do të zënë 7.1% të buxhetit, nga 7.7% një vit më parë, ndërsa shpenzimet për rendin dhe sigurinë publike do të ulen nga 6.3% në 5.8% të totalit.


Ndërkohë, kategoria e shpenzimeve të tjera të paklasifikuara do të zgjerohet nga 21.9% në 24.5%, duke përfaqësuar pothuajse një të katërtën e shpenzimeve të përgjithshme të vitit 2027.


Ekspertët ngrenë shqetësimin për mungesën e burimeve njerëzore

Ulja e peshës së arsimit në buxhet ka ngritur shqetësime te ekspertët, të cilët paralajmërojnë se investimet e pamjaftueshme në formimin profesional dhe arsimimin e forcës së punës mund të krijojnë vështirësi në administrimin e infrastrukturës dhe teknologjive të reja.


Një nga problematikat e evidentuara lidhet me modernizimin e ushtrisë. Ndërsa po planifikohen investime në pajisje të avancuara, mungesa e personelit të specializuar mund të kufizojë përdorimin e tyre.


Burime nga Ministria e Mbrojtjes kanë pohuar se disa pajisje në sektorin e artilerisë nuk mund të përdoren nga stafet aktuale për shkak të mungesës së aftësive të nevojshme teknike.


Modernizimi i forcave të armatosura kërkon gjithnjë e më shumë inxhinierë, specialistë të teknologjisë dhe personel të aftë për të operuar sisteme që kontrollohen përmes programeve kompjuterike, krahas përgatitjes tradicionale ushtarake.


Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në sektorin hekurudhor. Ndërsa vendi synon ndërtimin e linjave moderne, nevojiten specialistë të kualifikuar për administrimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemeve të reja teknologjike.


Sipas shqetësimeve të ngritura nga ekspertët, investimet në infrastrukturë rrezikojnë të mos shfrytëzohen me efikasitet nëse nuk shoqërohen me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe aftësive menaxhuese.


Ekspertët vlerësojnë se niveli historikisht i ulët i investimeve në arsim, krahasuar me vendet e rajonit dhe Bashkimin Europian, ka ndikuar në krijimin e një hendeku ndërmjet aftësive të forcës së punës dhe nevojave të ekonomisë.


Të dhënat e projektbuxhetit 2027 tregojnë një ndryshim në shpërndarjen relative të shpenzimeve publike, me rritje të peshës së mbrojtjes dhe ulje të pjesës që zënë mbrojtja sociale, shëndetësia dhe arsimi.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat